logo7
slide

Detyrat e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës

  • PDF
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ka për detyrë:
  1. të monitorojë dhe të kontrollojë zbatimin e këtij ligji, të strategjisë kombëtare e të planit të veprimit të saj, përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës dhe të legjislacionit në fuqi në këtë fushë;
  2. t’i paraqesë ministrit që bashkërendon punën për çështjet e mbrojtjes së fëmijës propozime për politika dhe ndryshime ligjore e nënligjore në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
  3. të përgatisë dhe t’i propozojë ministrit që bashkërendon punën për çështjet për mbrojtjen e fëmijëve udhëzime metodologjike për njësitë e të drejtave e të mbrojtjes së fëmijës në organet e qeverisjes vendore;
  4. të bashkëpunojë me strukturat shtetërore përgjegjëse në procesin e hartimit të propozimeve e të zbatimit të politikave integruese në Bashkimin Europian në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
  5. t’i japë mbështetje teknike organizatave jofitimprurëse që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
  6. të bashkërendojë punën për përgatitjen e materialeve dhe organizimin e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse të ministrit që mbulon çështjet e mbrojtjes së fëmijës;
  7. të organizojë dhe të bashkërendojë kërkimet shkencore dhe veprimtaritë informuese në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
  8. të ndërtojë dhe të realizojë veprimtari për edukimin, trajnimin, ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe të punonjësve e të funksionarëve të administratës publike e të sistemit gjyqësor për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, vetë ose në bashkëpunim me institucione të tjera;
  9. të ndërtojë mekanizmat e mbledhjes së statistikave, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave dhe me institucionet e tjera shtetërore, si dhe të mbikëqyrë mbledhjen dhe përpunimin e tyre;
  10. të unifikojë të dhënat statistikore për çështjet që lidhen me fëmijët, në bashkëpunim me mekanizmat institucionalë në nivel vendor për mbledhjen dhe përpunimin e përgjithshëm të tyre;
  11. të realizojë mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen e informacionit për promovimin e respektimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
  12. t’i paraqesë ministrit që bashkërendon punën për çështjet e mbrojtjes së fëmijës, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin e vitit paraardhës për veprimtarinë e realizuar, për ecurinë e punës, problemet e hasura dhe për rrugët për kapërcimin e tyre, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
  13. të zhvillojë dhe të mirëmbajë sistemin e informacionit për:
    - institucionet e specializuara për fëmijët dhe personat e kontaktit;
    - organizatat jofitimprurëse që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës;
    - të dhëna të tjera që lidhen me mbrojtjen e fëmijës;
  14. të koordinojë burimet e ndryshme të autoriteteve shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve;
  15. të vendosë gjobë ndaj shkelësve të ligjit, sipas përcaktimeve të nenit 40 të këtij ligji.
  16. të bashkërendojë veprimtarinë e saj me agjencitë homologe në vendet e tjera.
Autoritetet shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor, kanë detyrimin ligjor për të bashkëpunuar me Agjencinë, për shkëmbimin e informacionit, të statistikave dhe të të dhënave të tjera të kërkuara në kuadër të realizimit të veprimtarisë së saj.

Llojet, mënyra e shkëmbimit dhe e përpunimit të informacionit dhe të të dhënave statistikore të kërkuara nga Agjencia e nga strukturat shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Procedurat e kryerjes së kontrollit dhe të vendosjes së sanksioneve nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, ndaj shkelësve të të drejtave të fëmijëve, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KM-color1MSH-color1MPCSSHB-color1MD-color1MASH-color1UNICEF-color1